Secondary Adv

Ibrahimaj: Nga 2026, çdo tregtar i detyruar të ketë të paktën një mjet elektronik pagesash

Bizneset do të jenë të detyruara që nga viti 2026 të pajisen me të paktën një POS ose mjet elektronik pagesash, sipas planit të ri për reduktimin e cash-it që po përgatit qeveria.

Detyrimi i ri për tregtarët

Gjatë Forumit Connect të Pagesave Digjitale, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj njoftoi se masa është pjesë e paketës fiskale që pritet të diskutohet në parlament. Ajo theksoi se brenda vitit 2026, në mënyrë të shkallëzuar, të gjithë tregtarët do të duhet të kenë të paktën një pajisje elektronike që mundëson pagesat me kartë apo forma të tjera elektronike. Sipas saj, ky hap është i domosdoshëm për të reduktuar përdorimin e parasë fizike dhe për të luftuar informalitetin.

 

Digjitalizimi i pagesave, thelbësor për ekonominë

Ibrahimaj nënvizoi se, edhe pse Shqipëria ka digjitalizuar 98% të shërbimeve publike dhe renditet ndër vendet më të avancuara të Europës në këtë aspekt, ende mbetet pas në digjitalizimin e pagesave. Ajo vuri në dukje se digjitalizimi real i ekonomisë nuk mund të arrihet pa një sistem pagesash elektronik që mbështet shërbimet digjitale.

 

Plani i masave për uljen e cash-it

Ministrja bëri të ditur se një paketë masash konkrete do të diskutohet së shpejti me bankat, fintech-et dhe institucionet publike, me synim reduktimin e përdorimit të parasë fizike dhe nxitjen e inovacionit. Qeveria parashikon që përmes detyrimit për pajisje POS dhe instrumente të tjera elektronike, bizneset të rrisin transparencën, të shkurtojnë kostot dhe të përmirësojnë raportimet fiskale.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat